Pas problematikës së shfaqur disa herë në media për rrezikun që paraqet lëvizja në aksin rrugor Gur i Zi – Vau Dejës, firma e kontraktuar nga dega Rajonale e Autoritetit Rrugor Shqiptar ka nisur prej disa ditësh prerjen e barit dhe shkurreve në dy anët e rrugës me qëllim krijimin e hapësirave.

Gjatë muajve të fundit, lëvizja përgjatë aksit rrugor që lidh Shkodrën me Njësinë Administrative Gur i Zi dhe Vaun e Dejës ka qenë mjaft e vështirë, kjo edhe për shkak të mungesës së trotuareve në pjesën më të madhe të qendrave të banuara. Pastrimi që po vijon prej disa ditësh nga firma që bën mirëmbajtjen e rrugës synon rritjen e sigurisë në rrugë. Megjithatë, në këtë aks rrugor me gjatësi mbi 15 km, dëmtimi i sinjalistikës si dhe shkarjet e rrugës janë dy problematika që po sjellin dita-ditës amortizim të vazhdueshëm.