
Në Rragam u zhvillua aktiviteti “Guri i Zi në Festë”, i cili mblodhi banorë dhe vizitorë në një atmosferë festive buzë liqenit.
Programi solli një ndërthurje të sporteve ujore, interpretimeve të fëmijëve, valleve tradicionale dhe muzikës shkodrane, duke ofruar momente argëtimi për të gjitha grupmoshat. Të rinjtë e zonës u bënë pjesë e aktiviteteve sportive, ndërsa fëmijët dhe grupet artistike i dhanë festës ngjyra dhe gjallëri.
Përmes këtij organizimi u promovuan jo vetëm traditat dhe kultura vendase, por edhe pasuritë natyrore e potenciali turistik i zonës. Rragami, me pozicionin e tij buzë liqenit dhe peizazhin karakteristik, ofron mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit natyror dhe aktiviteteve në ujë.
“Guri i Zi në Festë” u kthye kështu në një pikëtakim për komunitetin dhe vizitorët, si dhe në një ftesë për të njohur më nga afër bukuritë, mikpritjen dhe traditat e kësaj zone të veçantë të Shkodrës.






