Dhjetra kosha mbeturinash në fshatra të ndryshëm në njësinë Guri Zi ndodhen totalisht të amortizuar. Prej kohësh edhe pse pjesa më e madhe e tyre ndodhen të vendosur në anë të rrugës që nga fshati Rrenc dhe në të gjitha fshatrat e tjerë, kazanët e mbetjeve kanë dalë jashtë funksionit. Pavarësisht se ka mbi një vit që ndodhen në këtë gjendje vazhdojnë që të jenë të vendosur aty.Janë me dhjetra të tillë të cilët i ka mbulur ndryshku, duke e humbur kështu funksionin për të cilin janë vendosur aty, një panoramë kjo aspak e hijshme në sytë e kalimtarëve.

Në shumë pjesë të ndryshme të njësisë Guri Zi, si shkak i amortizimit të koshave, mbeturinat hidhen në afërsi të tyre. Përveçse nuk kryejnë siç duhet funksionin për banorët e Guri të Zi, kanë edhe një rrezik evident për shëndetin e popullatës duke qenë kështu një potencial për përhapjen e infeksioneve të ndryshme. Disa herë banorët e fshatrave kanë ngritur këtë shqetësim për koshat e dëmtuar dhe që nuk kryejnë funksionin apo ashtu edhe për rrezikun shëndetësor por deri më tani situata nuk ka ndryshuar.

Pavarësisht se u bë shpërndarja e 30 koshave për mbetjet pak vite më parë nga bashkia e shkodrës, kjo gjë nuk arriti që të përballojë nevojën që ka një njësi e madhe si Guri Zi. Përveç kësaj nuk u bë e mundur zëvendësimi i kazanëve të vjetruar dhe të amortizuar me 30 koshat e rinj që dha bashkia Shkodër për Gurin e Zi.

Në këtë mënyrë edhe në këtë njësi një problem kryesor mbetet menaxhimi i mbetjeve dhe gjetja e një zgjidhje për ta përballuar më mirë situatën. Emergjente mbetet që kazanët aktual totalisht të amortizuar të ndërrohen, duke qenë se mbi të gjitha janë një burim i rrezikshëm për përhapjen e infeskioneve.