Gjatë një konference, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sjeko, tha se ekonomia shqiptare, ka pësuar rritje muajt e fundit.

Kjo sipas tij, ka ardhur falë rritjes së punësimit dhe shtimit të eksporteve.

Sejko vlerësoi ndër të tjera, se sfida për të ardhmen do të jenë rritja e mëtejshme ekonomike, punësimi, por edhe pandemia, e cila, sjell situata të paparashikuara.

“Të nderuar përfaqësues të medias,
Sot, në datën 7 korrik 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Informacioni i ri i analizuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka shfaqur tendenca të qarta rikuperimi në gjysmën e parë të vitit. Po ashtu, inflacioni ka ardhur në rritje gjatë muajve prill e maj, duke korrektuar rënien e tremujorit të parë.

Përditësimi i parashikimeve konfirmon skenarët që kemi prezantuar në vazhdimësi gjatë vitit 2021. Ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme gjatë vitit aktual dhe dy viteve të ardhshme. Kjo rritje do të shoqërohet me zgjerim të punësimit dhe rritje të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2022.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se faktorët të cilët mbështesin rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare kanë ardhur duke u zgjeruar dhe forcuar. Po ashtu, rreziqet e kahut të poshtëm, ndonëse ende të pranishëm, kanë ardhur drejt zbehjes. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, se punësimi vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, dhe se qëndrueshmëria e rritjes ekonomike vijon të kërkojë ruajtjen e kushteve monetare stimuluese.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
Në vijim do t’ju njoh më në detaje mbi arsyet e vendimmarrjes dhe konkluzionet e diskutimeve të Këshillit.
Inflacioni erdhi në rritje gjatë muajve prill e maj. Norma mesatare e inflacionit shënoi vlerën 1.9% për këta dy muaj, duke qenë dukshëm më e lartë se mesatarja e tremujorit të parë. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës, ndërkohë që çmimet e artikujve të tjera të shportës nuk pësuan ndryshime të ndjeshme. Kjo dinamikë konfirmoi vlerësimet tona të mëparshme se rënia e inflacionit në tremujorin e parë do të ishte e përkohshme. Në të njëjtën kohë, ajo sugjeron se shpejtësia aktuale e rritjes së tij nuk është e qëndrueshme.
Faktorët që kushtëzojnë kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv po vijnë drejt përmirësimit, por kthimi i tij në objektiv pritet të jetë një prospekt afatmesëm. Rritja e kërkesës agregate nuk është përkthyer ende në rritje të qëndrueshme të punësimit e të pagave. Po ashtu, rritja e shpejtë e çmimeve të konsumit në vendet partnere duket, për momentin, se do të jetë një fenomen kalimtar. Së fundi, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin vijojnë të mbeten nën objektiv.

Banka e Shqipërisë vlerëson se të tre këta faktorë do të vijnë drejt përmirësimit në horizontin afatmesëm.
Në linjë me pritjet tona, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur drejt rikuperimit gjatë dy tremujorëve të parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë të vitit, ndërkohë që analiza e të dhënave indirekte sugjeron për norma edhe më të shpejta rritjeje gjatë tremujorit të dytë.
Rikuperimi i aktivitetit ekonomik shfaqet me bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ai pasqyron zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, rritjen e shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerimin e eksportit të mallrave e shërbimeve. Në terma sektorialë, ky rikuperim pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të sektorëve prodhues dhe të shërbimeve.

Përmirësimi i aktivitetit ekonomik nuk është pasqyruar ende plotësisht në tregun e punës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi shënoi një rënie vjetore prej 2.6% në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që norma e papunësisë shënoi vlerën 11.9%. Këto tregues sugjerojnë se ekonomia shqiptare është ende larg normalizimit të plotë të aktivitetit të saj dhe se ky proces duhet të vijojë të mbështet nga politika stimuluese.
Faktorët mbështetës të rritjes ekonomike kanë ardhur drejt konsolidimit. Reduktimi i kufizimeve si pasojë e procesit të vaksinimit, përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, zgjerimi i kërkesës së huaj, si dhe stimuli fiskal dhe monetar, kanë gjeneruar premisat e nevojshme për një normalizim gradual të aktivitetit ekonomik.

Politika fiskale ka vijuar të ruajë një natyrë stimuluese gjatë gjysmës së parë të vitit. Stimuli fiskal ka marrë formën e zgjerimit të shpenzimeve korrente dhe kapitale, përkatësisht me 10% dhe 29% deri në muajin maj, ndërkohë që të ardhurat buxhetore kanë shënuar rritje me rreth 19%. Respektimi i projeksioneve të buxhetit nënkupton që stimuli fiskal do të mbetet i pranishëm gjatë vitit 2021, për të ardhur drejt tkurrjes në vitet në vazhdim. Banka e Shqipërisë vlerëson se ruajtja e këtij kahu të politikës fiskale i shërben si mbështetjes së rikuperimit ekonomik në afatin e shkurtër ashtu dhe forcimit të qëndrueshmërisë fiskale në afatin e gjatë.

Paralelisht me stimulin fiskal, politika monetare stimuluese ka mundësuar krijimin e kushteve të favorshme të financimit. Tregjet e financiare operojnë të qeta dhe karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe nga prime të kontrolluara rreziku. Gjendja e mirë e tyre ka mundësuar përcjelljen efektive të stimulit monetar, i cili ka mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit të kredisë për sektorin privat. Po ashtu, kursi i këmbimit mbetet relativisht i qëndrueshëm, në pasqyrim të balancës së kërkesës dhe ofertës për valutë.
Përmirësimi i kërkesës për kredi dhe kushtet e favorshme të ofertës, kanë sjellë një rritje relativisht të shpejt të kreditimit. Portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 7.8% në muajin maj, kundrejt një norme mesatare rritjeje prej 6.8% gjatë vitit 2020. Përtej rritjes së përgjithshme të portofolit, dinamikat e kreditimit mbartin sinjale të tjera pozitive. Së pari, rritja e portofolit të kredisë ka shkuar gjerësisht për financimin e investimeve të bizneseve dhe për kredi hipotekare, duke sinjalizuar rritjen e investimeve të sektorit privat dhe një situatë në përmirësim të likuiditetit të tij. Së dyti, kredia në monedhën vendase vijon të ruajë norma më të larta rritjeje, duke u reflektuar në rritjen progresive të peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky zhvillim inkurajues krijon premisa për një përcjellje më të mirë të stimulit monetar dhe një rezistencë më të lartë të sistemit bankar ndaj rreziqeve të stabilitetit financiar. Së treti, treguesi i kredisë me probleme ra në nivelin 7.8% në muajin maj, duke sugjeruar një cilësi të kënaqshme të këtij portofoli.

Duke gjykuar mbi trendet e faktuara të zhvillimeve ekonomike dhe monetare, si dhe mbi faktorët përcaktues të tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se ekonomia shqiptare do të shënojë norma të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje ekonomike në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike do të mbështetet nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga reduktimi i pasigurisë, nga një miks stimulues politikash monetare dhe fiskale, si dhe nga përmirësimi i bilanceve të sektorit privat. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, si dhe të rritin gradualisht të ardhurat në të gjithë sektorët e ekonomisë. Zgjerimi i kërkesës do të ndihmojë rritjen e punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit, brenda vitit 2022.

Në çdo rast, këto projeksione bazohen në supozimin e shmangies së kufizimeve serioze mbi aktivitetin ekonomik, si pasojë e goditjeve të mëtejshme të pandemisë. Megjithatë, ecuria e pandemisë dhe ndikimi i saj në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten burim pasigurie në parashikimet ekonomike.
Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rreziqet e kahut të poshtëm shfaqen disi më të zbehtë në këtë raund analize, dhe balanca e përgjithshme e rreziqeve paraqitet më neutrale. Në veçanti, rreziqet e kahut të poshtëm burojnë nga një përkeqësim i situatës epidemiologjike dhe i efektit negativ të saj në ekonomi, si dhe një rimëkëmbje më e ngadaltë e konsumit dhe investimeve, si pasojë e një sjelljeje më të kujdesshme të familjeve dhe të biznesit shqiptar. Në të kundërt, rreziqe të kahut të sipërm vijnë nga një politikë e brendshme fiskale më ekspansioniste se parashikimet aktuale, si dhe nga një rritje e me e shpejtë se pritjet e inflacionit në vendet partnere.

Në konsistencë me këto parashikime, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.
Rrjedhimisht, vendosi:

të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, përkatësisht në 0.1% dhe 0.9%.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv.