Deputetja Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit ka risjellë në vëmendje shqetësimet e banorëve të Librazhdit dhe të Përrenjasit, duke qenë se do të kandidojë në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 prillit.

Hajdari tha se ndonëse këto zona janë të pasura, si nga burimet ujore apo dhe pasuritë minerare, janë më të varfërat. Sipas saj, shumë qytetarë vendosin të largohen nga vendi.

“Ironike të flasim për azilkërkuesit në Shqipëri, pasi shqiptarët janë më të përçarë, njerëzit që ikin më së shumti. Janë të parët që largohen. Po si erdhëm deri këtu?! Si ka mundësi që një vend kaq i bukur, me pasuri natyrore, me burime hidrike, e kromi?! Si ka mundësi që një vend me një klimë të mrekullueshme.

Si ka mundësi një vend me pozicion të lakmueshëm, me popullatën më të re në Europë, ka pasur problemin më të madh të njerëzve që largohen nga vendi. Një politikë 30 vjeçare që nuk i jep dot as shpresë dhe as besim këtij vendi. Dje dhe pardje kam qenë në Librazhd dhe Përrenjas. Kur ulesh me ta të tregojnë se si erdhën pushtetarët me kamionë, me armë, me sharra dhe prenë pyjet.

Kanë qenë zona të lakmueshme. Këta pushtetarë që sot janë në këtë sallë, abuzuan, i bënë natyrës atë që u krijua me mijëra vite. Ata banorë sot nuk kanë me se të mbrohen dhe ju sot, e kryetarë bashkie ndërtuat vilat tuaja në ato zona dhe jeni më të pasur se e gjithë zona.

Më pas banorët më thonë se prapë në këto zona erdhën për ujin e lumit, prishën sistemin e vaditjes dhe morën inerte dhe morët toka pa fund. Përrenjasi ka ende një infrastrukturë të dobët të komunizmit. Banorët nuk kanë ujë të pijshëm edhe pse jetojnë në zonat më të pasura hidrike, edhe nuk kanë as energji.

Miqtë tuaj dhe ju bashkë shijoni miliardat. Banorët tregojnë se si të njëjtit njerëz vajtën për mineraret, të mirat të gjitha, dhe nuk lanë asgjë për ta. Tregtarët tregtojnë pa kushte minimale.”, tha ajo.

Artikulli paraprakINFO PLUS – 01.02.2021
Artikulli tjetërPROGRAMI I SHËNDETËSISË I PD-SË, BASHA: DO TË SHËROJMË SHQIPËRINË! RRITJE PAGASH PËR BLUZAT E BARDHA