Një çift bashkëshortësh u dhunuan dhe u grabitën në banesën e tyre në Gjirokastër nën kërcënimin e një thike nga një person që arriti të largohet pasi i mbylli brenda dhe u mori çelësin.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm në lagjen “Dunavat i dytë” në banesën e familjes Ceribashi.
Burimet thanë se autori i maskuar dhe i pajisur me një thikë ka shfrytëzuar momentin kur kryefamiljari kishte dalë nga banesa dhe është futur brenda, ku është përballur me bashkëshorten e tij, Liljana Ceribashi.
Ai e ka goditur dhe e ka kërcënuar në kërkim të parave, por në këtë kohë është kthyer kryefamiljari Astrit Ceribashi i cili është përleshur me hajdutin.
Në këto kushte dhe nën kërcënimin e thikës, hajduti ka marrë çelësin e shtëpisë dhe i ka mbyllur brenda banesës bashkëshortët dhe më pas është larguar me shpejtësi. Policia po punon për identifikimin e tij.
Vjedhjet e banesave në fakt janë kthyer në shqetësim në disa rrethe.
Pesë raste janë regjistruar në 5 ditët e fundit në qytetin e Kuçovës, ndërsa policia nuk ka arritur të identifikojë dhe arrestojë asnjë autor.
3 banesa dhe 2 biznese janë vjedhur me të njëjtën skemë, çka ka ngritur dyshime se në qytetin e naftëtarëve po vepron një grup hajdutësh profesionistë.
Tre grabitjet e banesave janë shënuar në lagjen “Perondi”. Burime policore konfirmuan se hajdutët kanë arritur të marrin shuma të konsiderueshme parash.
Policia nuk ka arritur të zbulojë asnjë nga autorët e vjedhjeve, të cilët dyshohet se po veprojnë si grup i mirë organizuar.
Ata nuk kanë lënë prova në vendngjarje, ndërsa janë kujdesur që në çdo biznes të dëmtojnë ose të marrin me vete edhe serverin e kamerave të sigurisë.