Kampionati i hendbollit po shkon drejt fundit të tij dhe të dielën pasdite në Shkodër do të zhvillohet ndeshja e fundit dhe njëkohësisht përcaktuese për fatet e titullit kampion. Vllaznia do të presë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Elbasanit.

Ky i fundit kryeson kampionatin me pesë fitore të arritura deri tani ndërkohë që shkodranët kanë 4 fitore dhe 1 humbje. Atyre u duhet të fitojnë por jo vetëm kaq. I duhet një fitore me 4 gola më shumë në mënyrë që të shpallen kampion.

Drejtuesit e ekipit por edhe vetë hendbollistët besojnë se do ia dalin. Meraku i tyre i vetëm është arbitrimi.

Për këtë arsye nga sa bëhet e ditur, Vllaznia i ka kërkuar Federatës që në këtë ndeshje të ketë arbitra të huaj. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëvendëstrajneri Arian Ibërshimi i cili shprehet:

“Duke qenë se është një ndeshje shumë përcaktuese për fatin e titullit kampion, i kemi kërkuar Federatës që për këtë ndeshje të ketë arbitra ose nga Mali i Zi ose nga Kosova.

Kjo ngaqë arbitrat e këtyre vendeve kanë një nivel më të lartë dhe në këtë mënyrë, ata të vendosin drejtësi në fushë në mënyrë që arbitrimi të mos ndikojë tek shpallja e skuadrës kampione për këtë sezon.

Vllaznia do të bëjë çmos për t’ia dalë dhe jemi duke u përgatitur për këtë gjë”. Ndeshja Vllaznia- Elbasani do të zhvillohet më datë 1 prill, në orën 16.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

 

Artikulli paraprakKUÇ, RRJETI ELEKTRIK I AMORTIZUAR
Artikulli tjetërERKAND QERIMAJ TËRHIQET NGA GARA NË EUROPIAN