
Një realitet i papërshtatshëm për një institucion të dijes, i cili tashmë do t’i përkasë së shkuarës. Hekurishte, objekte të braktisura prej vitesh kishin pushtuar ambientet e Universitetit të Shkodrës, duke i hequr funksionalitetin dhe dinjitetin, do të largohen përfundimisht.
Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe Rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj, kanë ndërmarrë një plan konkret për pastrimin dhe sistemimin e këtyre hapësirave, me synimin që ato të shndërrohen në ambiente funksionale për studim, aktivitete akademike dhe jetën e përditshme të studentëve.
Ky proces pritet të rikthejë normalitetin në një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend, duke i dhënë jo vetëm universitetit, por edhe qytetit të Shkodrës një hapësirë dinjitoze, në funksion të dijes dhe zhvillimit. Ndërhyrja është pjesë e angazhimit të Bashkisë për të mbështetur universitetin dhe për ta shndërruar atë në një qendër moderne studimi, duke reflektuar rolin historik e akademik në formimin e brezave të rinj.






