Ngjyrat e 35 piktorëve shqiptarë shpërthejnë në ekspozitën Nëntor .Ekspozita në FAB deri më 15 nëntor .

Është çelur në galerinë FAB në Universitetin e Arteve në Tiranë ekspozita vjetore e pikturës “Nëntor”. Kjo ekspozitë e ideuar nga artistët Llambi Blido, Stefan Taçi dhe Besim Tula nisi për të thyer heshtjen artistike të vitit 1997, dhe u konceptua si një kundërqëndrim ndaj kritikës së rreptë që iu bë artistëve të realizmit socialist gjatë asaj periudhe, duke ua injoruar në mënyrë absolute vlerat e vërteta artistike. Që nga ajo kohë gjatë 19 edicioneve të kësaj ekspozite debutuan mjeshtrit e pikturës shqiptare si Sadik Kaceli, Isuf Sulovari, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Niko Progri, Vilson Kilica, etj. Organizatorët e eskpozitës shprehen për rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite. “Aq sa mund të bëhet sport pa kampionat dhe stadium po kështu dhe artistit pa ekspozuar nuk i njihen të dhënat natyrale, synimi, talenti dhe inteligjenca. Konkurrimi bën ecjen përpara. Artisti e ka të nevojshme. Veprimtaria ka dhënë rezultatet e veta tek shumë artistë. Përgatitja për ekspozitë tendos muskujt krijues më fort pasi ajo hë për hë është e vetmja mënyrë takimi, ballafaqimi dhe nxitjeje”. Më tej theksohet se “Subjekti vizual në veprat e kësaj ekspozite ka qenë i gjetur dhe i interpretuar me profesionalizëm, etj. Këtu janë rritur në krijimtarinë e tyre të rinj që kanë aftësi apo të dhëna koloristike si Eniela Veveçka, Orlis Vathi, Aurel Nukaj, Dea Tili e më të rinjtë që po debutojnë si Denisa Brahimi, Erina Dibra etj. Kushtet e konkurrencës që krijon vetvetiu ekspozita i bëjnë mirë autorit pasi impenjimi është më i madh, si në çdo shfaqje ku marrin pjesë shumë konkurrentë. Kjo veprimtari ka gjurmët e saj në jetën tonë artistike”. Në edicionin e 19-të të ekspozitës “Nëntori”, që do të qëndrojë e çelur deri më 15 nëntor në Galerinë FAB, marrin pjesë 35 piktorë, ku midis tyre shquhen emra të njohur të artit në Shqipëri si Gazmend Leka, Kleves Krisiko, Adrian Devolli, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Besim Tula, Brikena Bërdo, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Zef Shoshi e të tjerë.

Artikulli paraprakAKUZOHEN DY SKAFISTET QE U SHPETUAN NGA ANIJET USHTARAKE
Artikulli tjetërESHTRAT E DY MARTIREVE QE U LUMNUAN NGA PAPA DO TE PREHEN NE ZADRIME