Pas ditës së katër të protestës së banorëve të zonës së Rinasit, ditën e sotme është rikthyer sërish qarkullimi në këtë aks me dy korsi, sikurse ishte para datës 1 Maj.
“Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.
Apeli ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit. Udhëtarët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes”, thuhet në njoftim.
Hapja e rrugës së Rinasit, ku tashmë po lëvizet me dy sense, është pritur me duartrokitje nga banorët të cilët u ngritën në protestë për të katërtën ditë me radhë.