
Prej ditës së djeshme, Ankaraja ka hapur dyert për samitin e NATO-s ku ka pritur liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës më të madhe ushtarake.
Bisedimet dje u fokusuan te investimet dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes ushtarake për vendet. Ndër temat kryesore pritet të jetë situata në Ukrainë dhe paketa e ndihmës prej 70 miliardë eurosh që aleatët evropianë pritet ta formalizojnë në Ankara për të siguruar mbështetje për Kievin për dy vitet e ardhshme.
Dita do të hapet me fjalimet e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte dhe udhëheqësve pas mbërritjes së tyre, e më pas do të mbahet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, fotografia tradicionale familjare dhe, në orën 11:15 të paradites sipas orës lokale (10:25 të paradites sipas orës CET), takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Samiti do të përfundojë me konferencën e fundit për shtyp të Rutte në pasdite. Më pas do të mbahen konferencat për shtyp të udhëheqësve, ndërsa ajo e Presidentit të SHBA-së Donald Trump është planifikuar për në orën 16:05.
Në një takim me Presidentin Tayyip Erdogan, Trump tha se mund ta kishte bojkotuar plotësisht samitin e NATO-s nëse nuk do të kishte pasur marrëdhënie të ngrohta me udhëheqësin turk dhe nuk përjashtoi tërheqje të mëtejshme të trupave nga Evropa.
“Epo, do ta shohim. Isha shumë i zhgënjyer me NATO-n”, tha ai, duke veçuar Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë që nuk bënë mjaftueshëm për të mbështetur luftën e SHBA-së kundër Iranit.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pritet të zhvillojë sot disa takime me krerë shtetesh, mes tyre dhe me kryeministrin Edi Rama.
Dita e parë e takimeve në kuadër të Samitit në Ankara u përmbyll me një darkë shtetërore të Presidentit turk, që priti mbi 32 liderët e Natos. Pjesë e darkës ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda.


