
Pas 3 muajsh punime, Ura e Cenit në Lezhë u hap këtë të hënë për kalimin e këmbësoreve dhe automjeteve, duke i dhënë fund trafikut të rënduar që ishte krijuar në qytet.Me financim të fondit shqiptar të zhvillimit, kjo urë e cila ishte amortizuar dhe nuk garantonte kalim të sigurt për këmbësorët është rindërtuar dhe zgjeruar.
Përfundimi i punimeve i inspektua nga Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, sipas të cilit ky investim është pjesë e një vizioni më të gjerë për riorganizimin e qarkullimit urban dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me synimin që Lezha të përballojë më mirë flukset sezonale, veçanërisht gjatë muajve të verës.
E pozicionuar në një pikë strategjike, Ura e Cenit shërben si një korridor i rëndësishëm lidhës mes superstradës dhe brendësisë së qytetit, duke përfshirë edhe një zonë me aktivitet të lartë ekonomik. Hapja e saj do të shpërndajë flukset e trafikut dhe të ofrojë një alternativë të nevojshme për hyrje daljet nga Lezha.






