Gjykata e Lezhës shpalli fajtor një 30-vjeçar i cili shrytëzoi situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, për të hapur llogari në rrjete sociale me qëllim mbledhjen e parave.

Gjendja e tij e rëndë shëndësore detyroi togat e zeza t’i pezullojnë dënimin. Arian Meli u dënua me 7 vite burg për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, por duke qenë se kërkoi gjykim të shkurtuar ju ul 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite.

Por gjendja e rënduar shëndetësore dhe ndërhyrja kirurgjikale që do kryente në zemër detyroi prokurorin Arben Agovi të shfrytëzojë nenin 59 të kodit Penal kërkesë që u pranua nga gjyqtarja Ornela Naqellari.

Kjo e fundit vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim të mbetur pa vuajtur për të pandehurin dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 3 vitesh duke u detyruar i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me zyrën vendore të shërbimit të provës së vendbanimit të tij.

Gjithashtu u vendos kthimi i shumave të parave që u vendosën në sekuestro preventive në banken përkatese.

Arian Meli u prangos në nëntor të vitit 2019, pasi duke përdorur rrjetin social Facebook publikoi dy numra llogarie dhe në emër të kryeministrit Edi Rama ju kërkonte qytetareve që të kontribuonin me vlera monetare për banorët e prekur nga tërmeti.

Nga hetimet e prokurorisë rezulton se brenda një kohe të shkurtër ranë pre e mashtrimit 10 qytetarë të cilët ishin kosovar dhe shuma që kishte kaluar në dy llogaritë bankare ishte rreth 2 mijë euro.

Ndërkohë gjatë procesit të gjykimit përsoni në fjalë ka rezultuar se kishte probleme të shëndetit mendor çka është faktuar dhe nga raporti mjekësor i cili është paraqitur nga avokati i të pandehurit, duke pretenduar se veprimet e kryera prej tij janë bërë për shkak të gjendjes shëndetësore.