Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është kthyer në Kosovë pas ndalimit prej katër muajve në Francë.

Kthimi i tij në Kosovë, ka pasuar vendimin e një gjykate franceze në Colmar, e cila ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradim, duke e lënë Haradinajn të lirë nga të gjitha akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhej, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Haradinajn e kanë pritur familja e tij dhe zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Pas kthimit, Haradinaj tha se ka fituar edhe njëherë drejtësia, ndonëse pas një procesi të padrejtë ndaj tij. “Kërkesa për ekstradim ishte kërkesë për luftë, dhe nuk jam tallur kur e kam thënë këtë”, ka deklaruar Haradinaj.

“Një armiku si Serbia, nuk guxojmë asnjëherë të mos ia tregojmë vendin dhe një shembull për këtë është Kroacia”, ka thënë Haradinaj. Ndërkohë, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, Haradinaj u është drejtuar qytetarëve të tubur duke thënë se ishte larg Kosovës për katër muaj, por asnjëherë nuk ishte vetëm, pasi që në Colmar ishte në shoqëri të vazhdueshme të njerëzve nga diaspora. “Për fat të keq edhe njëherë, si dikur u ndjeva pa shtet. Institucionet e Kosovës nuk ishin në nivelin e tyre”, ka thënë Haradinaj. Liderët aktual në Serbi, Aleksandar Vuçiq apo Ivica Daçiq, theksoi Haradinaj, të prirë nga ish-lideri i tyre Sllobodan Millosheviq kanë provuar t’i vrasin shqiptarët edhe gjatë luftës së fundit.

“Për këtë kam thënë se ekstradimi nënkuptonte shpallje lufte dhe se ne do t’ua bënim edhe më zi atyre”, ka thënë Haradinaj. Shqiptarët, vijoi Haradinaj, janë popull paqedashës, por nuk mund të durojnë më. Njëherësh ai ka adresuar mesazhe edhe në lidhje me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë se “Kosova nuk ka më tokë për t’i falë askujt”. Në fund të fjalimit, janë ndezur edhe fishekzjarre. Gjatë paraditës, kur ishte marrë vendimi në gjykatë, Haradinaj është paraqitur para disa simpatizantë të tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nw Colmar. “Procedura u mbyll, është refuzuar kërkesa e Serbisë.

Pres ta marr pasaportën dhe jam i lirë, do të kthehem në Kosovë”, ka thënë Haradinaj. “Janë humbur katër muaj kohë, nuk është pak, është kohë e çmueshme. Por, ka ndodhë ajo që është dasht të ndodhë, e drejta është në anën tonë”, është shprehur Haradinaj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar vendimin për “lënien të lirë të Ramush Haradinajt, si lehtësues jo vetëm për Ramush Haradinajn dhe familjen e partinë e tij, por është një vendim lehtësues për gjithë popullin e Kosovës”. Ndalja e tij në Francë për gati 4 muaj, sipas AAK-së, “ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, që duke e vënë në lajthitje edhe Francën, ta destabilizojë Kosovën”.

Vendimi për rastin Haradinaj, është përshëndetur nga presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka cilësuar atë si lajm të mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën. “Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërKRIZA NË MAQEDONI, ATHINA OFRON NDËRMJETËSIM