
KOMISARI: PO USHTROHET PRESION PSIKOLOGJIK NË DËM TË KARRIERËS. Një zyrtar policie i Shkodrës i kërkon drejtorit të përgjithshëm të Policisë Artan Didi ta lirojë nga detyra me kërkesën e tij.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës në Shkodër, ku Anton Hasanpapaj me një letër publike pretendon se mbi të po ushtrohet presion psikologjik, por edhe dënime të pamerituara në dëm të karrierës së tij si një ndër efektivët e uniformave blu. Hasanpapaj, me gradën komisar që aktualisht është në detyrën e shefit të seksionit për teknologjinë dhe përgjimin ambiental në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër dhe thotë se në maj të 2014 është penalizuar me uljen në gradë nga “një ish punonjës i sigurimit të shtetit. Në shtator pretendon se ka marrë detyrën që ka edhe sot, por pikërisht në këtë kohë, doli urdhëri i pagesave të energjisë elektrike duke marrë gjobën me pesë ditë punë, sepse sipas relacionit, nuk i është përgjigjur urdhërit. “Unë nuk disponoj asnjë kontratë të lidhur drejtpërdrejt me OSHEE për shkak se nuk kam banesë dhe prej 13 vitesh jam i ndarë nga pjesa tjetër e familjes. Jam kryefamiljar dhe baba i dy fëmijëve të cilët për shkak të punës dhe karrierës time kanë qenë të detyruar të lëvizin vazhdimisht dhe konkretisht vajza ime në klasën e tretë, klasën e parë e ka përfunduar në Lushnje, të dytën në Korçë dhe të tretën shpresoj ta përfundojë në Shkodër. E kam informuar drejtorinë e përgjithshme në lidhnje me adresën e saktë të banimit të përkohshëm në qytetin e Shkodrës duke i vënë në dispozicion edhe fotokopjen e librezës së energjisë elektrike në emër të pronarit të banesës si dhe vërtetimin e OSHEE që kjo kontratë nuk ka detyrime të pashlyera”. Hasanpapaj sqaron se askush nuk i ka dëgjuar ankesat dhe sqarimet e tij dhe me ndërrimin e drejtorit të Policisë së Qarkut Shkodër, sërish është vënë në shënjestër të sulmeve. “Mes meje dhe zotit Qamil Luka ka një konflikt personal i cili pasqyrohet në shfrytëzimin e çdo mundësie nga ana e tij për të më dëmtuar karrierën. Konflikti e ka zanafillën në 1979 pasi ky ka qenë një nga punonjësit e policisë që kanë arrestuar babain tim Ibrahim Hasanpapaj me akuzën agjitacion e propagandë” shkruan Hasanpapaj në letrën e tij të dorëheqjes nga policia. “Nga gjithë presioni, synimi për të më prishur karrierën është direktivë e pastër politike” shkruan komisari i cili ka filluar punë në polici në vitin 2003 dhe kërkon ta lërë detyrën pas presioneve në vitin 2015 duke qenë praktikisht tashmë i larguar nga radhët e policisë.