HEC-et private, edhe Ashta ikën nga KESH dhe firmos me OSHEE

 

Ministria e Energjisë informon për përmbylljen e procesit të kalimit të kontratave koncesionare për blerjen e energjisë elektrike të prodhuesve privat nga KESH tek OSHEE. “Me firmosjen këtë javë të Marrëveshjes së Kalimit të detyrimit për blerjen e energjisë ndërmjet shoqërisë koncesionare Energji ASHTA dhe OSHEE, përfundon një fazë shumë e rëndësishme e reformës në sektorin e energjisë elektrike, ajo e ndarjes së funksioneve për secilin operator dhe krijimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike” thuhet në njoftimin e ministrisë. Bazuar në Ligjin e ri Për Sektorin e Energjisë Elektrike të Prillit 2015 dhe në një sërë aktesh të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij, KESH nuk do të ketë më detyrimin e caktuar arbitrarisht të blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vegjel, por tashmë do të ushtrojë vetëm funksionet e tij naturale si prodhues energjie, duke bërë të mundur në këtë mënyrë një shfrytëzim më optimal të burimeve të tij gjeneruese. “Me ndryshimet e marrëveshjes tip të blerjes së energjisë, të miratuar nga ERE, të gjitha shoqëritë koncesionare kanë firmosur kontratat e reja me OSHEE, duke i dhënë fund kështu konfliktit të nisur nga shoqata e HEC-ve, për pasiguritë e pretenduara prej tyre me të cilat mund të përballeshin ata nga ky ndryshim i blerësit të energjisë” nënvizohet në njoftim. Sipas Ministrisë së Energjisë, situata ka rezultuar krejt e kundërta, pasi Qeveria shleu të gjitha detyrimet e prapambetura prej 9.1 miliard lekësh që shteti i kishte këtyre koncesionarëve dhe tashmë ata po paguhen rregullisht për energjinë që prodhojnë duke ju rritur likujditetin dhe lehtësuar përmbushjen e detyrimeve për shlyerjen e kredive ndaj bankave.