
Projekti për rikonstruksionin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit u prezantua në Lezhë përmes një dëgjese publike me komunitetin e zonave ku do të kalojë kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore.Sipas ekspertëve, investimi do të realizohet mbi gjurmën ekzistuese të hekurudhës, e cila do të rikonstruktohet dhe do të përshtatet me standardet evropiane. Projekti tashmë ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kontraktorit, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2030.
Linja Vorë-Hani i Hotit do të ketë një gjatësi prej rreth 120 kilometrash dhe do të jetë tërësisht e elektrifikuar. Trenat do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, duke mundësuar transportin e udhëtarëve dhe të mallrave përgjatë këtij aksi.Projekti parashikon ndërtimin dhe rikonstruksionin e 12 stacioneve, 12 urave, si dhe një tuneli me gjatësi rreth 320 metra. Koha mesatare e udhëtimit nga Vorë në Han të Hotit pritet të jetë rreth 2 orë.Investimi, me një vlerë totale prej rreth 356 milionë eurosh, synon të përmirësojë ndjeshëm transportin hekurudhor dhe lidhjen e Shqipërisë me korridoret rajonale dhe evropiane.






