
Një turist është shpëtuar pasi ka rënë në humnerë në fshatin Kaprre, në Njësinë Administrative Shalë të Shkodrës, teksa po eksploronte zonën së bashku me katër turistë të tjerë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka informuar për operacionin e kërkim-shpëtimit të zhvilluar nga Forca Ajrore.
POSTIMI I PLOTË:
Forca Ajrore, në gatishmëri për të shpëtuar jetë.
Helikopteri Black Hawk i Forcës Ajrore kreu një operacion kërkim-shpëtimi në fshatin Kaprre, Njësia Administrative Shalë, Shkodër, pas rënies në humnerë të një turisti, i cili po eksploronte zonën së bashku me katër turistë të tjerë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të ekipeve të shpëtimit, turisti u nxor nga humnera. Ai kishte pësuar frakturë në këmbë dhe, pas evakuimit, u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Katër turistët e tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore.






