Ambasadori italian në shqipëri Alberto Kutilio ka zhvilluar një takim ditën e sotme me prokuroren e pergjithshme Arta Marku me të cilën diskutoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Burimet zyrtare thanë se ambasadori italian gjatë takimit shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë në kuadër të zbatimit të plotë të ligjit “Për Dekriminalizimin”. Duke konsideruar Italinë si një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, drejtuesja e organit të akuzës Arta Marku shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë në dy shtetet. Kryeprokurorja Marku falenderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi. Ajo theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar. Më herët të enjten Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Zyrës së OPDAT-it të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në këtë takim sipas burimeve zyrtare, u diskutua për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjelltë në realizimin e procesit të Vetingut në radhët e sistemit të drejtësisë. OPDAT-i përfaqësohej nga Jon Smibert, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në hartimin e paketës së Reformës në Drejtësi në Shqipëri.