
Pasi SPAK goditi sërish në oborrin e kryeministrisë, këtë herë duke hetuar tenderët disa milionësh të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit e la në arrest shtëpie drejtuesen e saj, Mirlinda Karçanaj, kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë duke i cilësuar të hatashme akuzat që rëndojnë ndaj saj.
“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën nje mase sigurie me një akuze te hatashme, per te cilen duhet pritur me durim vetem nga drejtesia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo”, tha Rama.
Podcastin e përjavshëm e nisi pikërisht me dosjen e AKSHI-t dhe akuzat që rëndojnë mbi Karçanajn, ndaj të cilës tha se nuk duhet të zhvillohet një gjyq publik. Kryeministri nuk i kurseu publikisht as mirënjohjen për punët e mira që drejtuesja e AKSHI-t tha se ka bërë. Rama citoi raportin e fundit të bankës Botërore, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 14-të për qeverisjen digjitale.
“Falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë. Pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqësor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t”, tha Rama.
Për pjesët e publikuara nga dosjet hetimore që ngrenë dyshime për abuzime me fondet publike, Rama i kujtoi SPAK-ut se janë në kundërshtim me ligjin.
“Zhurma e 700 tenxhereve politike mediatike, ku ziejnë me presion të lartë informacionet e marra në shkelje të ligjit nga kujdestarët e dosjeve e të veprimeve hetimore, nuk la asfare vend për lajmet e mira. Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”, tha Rama.
Me urdhër të SPAK, më datë 16 dhjetor 2025 u lëshuan 8 masa sigurie për drejtoreshën e AKSHI-it dhe për zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, për abuzime me tenderët. Ndaj Karçanajt u vendos masa e “arrestit në shtëpi”, nën akuzë nga SPAK për “shkelje e barazisë në tenderë”.






