Ndryshe nga sa pritej, ajo nuk e ka bërë këtë deklaratë me anë të një konference për shtyp, por ka zgjedhur një mënyrë të veçantë. Me anë të një klipi të postuar, me titullin “Duke u nisur”, Clinton ka sjellë realitetin e të gjitha familjeve amerikane.

Klipi është konceptuar si një rrëfim ku secila familje bëhet gati për diçka të re në jetën e tyre. Ekipi i fushatës se Hillary Clinton është treguar i kujdesshëm për të përfshirë në klipin promovues të gjitha etnitë dhe grupet shoqërore që jetojnë në SHBA, duke nisur nga amerikanët e thjeshtë, afro-amerikanët, hispanikët dhe homosksualët. E pas rrëfimeve të familjeve të thjeshta amerikane, edhe Clinton tregon atë për çfarë po bëhet gati: Do të garoj për presidente. Duke u mbështetur te familja, pasi sipas saj, nëse familja është e shëndetshme atëherë edhe Amerika është e fortë, kandidatja për Presidente ka publikuar dhe sloganin e fushatës: “Çdo ditë amerikanët duan një kampion. Unë dua të jem ai kampion”. Ndërkohë, një mbështetje të madhe për Clinton ka shprehur edhe vetë Presidenti aktual Barak Obama. “Ajo ishte një kandidate më tepër sesa e fuqishme në vitin 2008; ajo ishte një mbështetje e madhe në zgjedhjet e përgjithshme; ajo ishte një sekretare e devotshme e Shtetit amerikan; ajo është shoqja ime. Ndaj ajo do të jetë një presidente e shkëlqyer”, tha Obama. Por çfarë e shtyn Hilary Clinton që të rikandidojë për postin e presidentes së SHBA-ve, edhe pse në vitin 2008, ajo pësoi disfatë në garën elektorale? Senatorja kaliforniane, Dianne Feinstein, e cila e njeh prej vitesh, thotë se Hilary-t nuk i nevojitet ky post, por ajo thjesht e do, e ka pasur qëllimin e jetës për vite me radhë dhe i është dedikuar përgatitjes për t’a arritur. Pra sipas saj, ky është një vendim, i cili nuk surprizon askënd, sepse gjëja më rëndësishme e kandidaturës së saj është eksperienca që mbart. “Konkretisht plani i fushatës së saj është që të gjithë ta njohin Hillary-n e vërtetë nga afër, duke shtrënguar duart me të, si edhe duke bashkëbiseduar, ndoshta për të kuptuar nëse është njësoj sikurse miqtë e saj e përshkruajnë”. “Ajo ka një tip gazmor, prej të cilit nuk lodhesh, mund të ulesh me të dhe të pish një koktejl ose dy”, thotë një tjetër e afërt me zonjën Clinton. Megjithatë të tjerë zëra skeptikë e përshkruajnë atë si paranojake, tepër të llastuar, madje edhe arrogante. Por mesa duket një nga faktet që flet më shumë për ish-Sekretaren e Shtetit është se, Partia Demokratike ku ajo aderon, nëse humbet njëherë, ti del jashtë loje dhe me pak gjasë s’mund të kesh më vëmendjen, por këtë herë është ndryshe, ajo ka vazhduar të jetë dominante në skenën politike. 50% e amerikanëve e duan Hillary Clinton si përfaqësuesen e tyre më të lartë të shtetit.