Shqipëria do të shndërrohet në një vend ku shtetasit e huaj mund të punësohen lirisht. Përmes disa ndryshimeve radikale në ligj, qeveria ka hequr thuajse tërësisht kufizimet për punëtorët e huaj duke hapur tregun e punës edhe për shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian.

Ndryshimet vijnë përmes një projektligji i miratuar në mbledhjen e fundit të këshillit të ministrave.

Sipas draftit, i cili do ti dërgohet parlamentit për miratim, shtetasit e pesë vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor si Serbia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, dhe Maqedonia e Veriut nuk do të kenë më nevojë për leje punë për tu punësuar në Shqipëri.

Për punëtorët që vijnë nga këto vende, leja e punës hiqet në mënyrë të përhershme. Por Shqipëria do të hapet edhe për punëtorët e të gjitha vendeve të tjera të botës, në rastin e fatkeqësive natyrore.

Sipas projektligjit të miratuar në qeveri, leja e punës hiqet për çdo të huaj, që do të punësohet në sektorë të ndryshëm me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësi natyrore.

Kjo do të thotë se menjëherë pas miratimit të ligjit në parlament bizneset shqiptare që do të punojnë në ndërtimin e banesave apo infrastrukturës publike të dëmtuar nga tërmeti mund të punësojnë punëtorë nga çdo vend i botës, pa patur nevojë për leje pune.

Por punësimi i këtyre shtetasve lehtësohet edhe kur nuk ka fatkeqësi natyrore. Aktualisht një biznes shqiptar mund të punësojë një punëtor të huaj vetëm nëse ka publikuar për 4 javë vendin e lirë të punës dhe nuk ka arritur të gjejë punëtor shqiptar.

Me projektligjin e ri të qeverisë ky kufizim hiqet dhe bizneset shqiptare mund të aplikojnë direkt për leje pune për të huajt, pa patur detyrimin që të kenë kërkuar më parë për punëtorë vendas.

Liberalizimi i tregut të punës është hedhur fillimisht si ide nga disa biznese të mëdha vendase. Por ky propozim është shoqëruar edhe me debate publike për shkak se Shqipëria ka papunësi të lartë.

Ardhja e të huajve, veçanërisht atyre nga vendet e botës së tretë pa pengesa për të punuar në Shqipëri, mund të bëjë presion për uljen e rrogave dhe të lërë të papunë punonjësit shqiptarë.

Por qeveria dhe bizneset e kanë justifikuar këtë masë me argumentin se vendi ka mungesë punëtorësh.

Artikulli paraprakI DËNUAR ME BURG, ISH POLITIKANI DUHET TË KISHTE PËRFITUAR IMUNITETIN SI EURODEPUTET
Artikulli tjetërNËNA BRAKTIS FOSHNJËN DHE E HEDH NË PUS MBETURINASH, I SHPËTOHET JETA