
Të riparosh një radio me llampa apo një televizor dekada më parë kërkonte jo vetëm durim, por edhe një pasion të rrallë për teknologjinë. Kola e ka nisur këtë profesion rreth 45 vite më parë fillimisht me radio të vjetra e më pas me televizorat e kohës. Për katër dekada me radhë, Kola rregulloi çdo defekt teknik me pasion dhe profesionalizëm madje në atë kohë ku puna në privat ishte e ndaluar.
Por kur teknologjia nisi të ndryshonte, pasioni i tij mori një drejtim të ri, nga riparimi i pajisjeve, te kapja e momenteve më të rëndësishme të jetës. Kamera e tij u bë pjesë e pandashme e dasmave, ditëlindjeve dhe festave familjare. Edhe pse vitet kanë kaluar dhe teknologjia ka ndryshuar me hapa galopantë, dashuria e tij për punën mbetet e njëjtë, ndërsa 75 vjecari ndjehet i plotësuar pasi zanatin e ka trashëgur te djali dhe nipat e tij.
Nga kaçavida e radioteknikut te objekti i kamerës, kjo histori mbi 40-vjeçare tregon se kur puna bëhet me pasion, ajo shndërrohet në art që i reziston kohës.


