Për 35 vite me radhë sa herë kishte përmbytje e stuhi i çoi bukën tek shtëpia banorëve të Obotit por sot ka mbetur i vetmuar dhe pa asnjë ndihmë. Kjo është historia e Lash Gocaj një 90 vjeçar nga fshati Obot në Anën e Malit i cili shërbeu gjatë viteve të komunizmit me lundër dhe trap duke shpërndarë bukën kur moti përkeqësohej dhe uji bllokonte fshatin.

Fshati është përsëri i përmbytur por Lash Gocaj nuk e ka fuqinë e dikurshme. Sot që i moshuari e ka shtëpinë të rrethuar nga uji askush nuk i shërben ashtu si bënte ai dikur për të tjerët.

90 vjeçari jeton vetëm me bashkëshorten e tij 89 vjeçare e cila është e sëmurë. Të dy bashkë nuk marrin më shumë 175 mijë lekë te vjeter dhe pjesa më e madhe e parave të pensionit shkojnë për ilaçe duke qenë se askush nuk i ndihmon.

I moshuari del me çizme të gjata në ujë dhe rreziku për t’u rrëzuar është i madh. Lash Gocaj ka një apel edhe për KESH që të mos lejojë shkarkimin nga hidrocentralet gjë që sipas tij sjell përmbytjen e Obotit.

Kryesisht në fshatin Obot në Anën e Malit që u përmbyt për të katërtën herë në 10 vite kanë mbetur vetëm të moshuar. Më të rinjtë kanë emigruar drejt shteteve të tjera për shkak të problemeve të shumta si papunësia apo një prej të cilave edhe rreziku i shpeshtë i përmbytjeve.