
Ishte vetëm 5 vjeçe kur u nis drejt lirisë, por nuk arriti kurrë ta shihte atë.
Më 11 shtator 1990, 18 qytetarë shkodranë tentuan të largoheshin nga Shqipëria, duke marrë një anije luftarake nga Shiroka në drejtim të ish-Jugosllavisë.
Mes tyre ishte edhe vogëlushja Anisa Gruda.
Gjatë kalimit në Liqenin e Shkodrës, ushtarët e regjimit komunist hapën zjarr me mitralozë ndaj të arratisurve. Plumbat goditën anijen dhe njëri prej tyre i mori jetën 5-vjeçares.
Anisa humbi jetën në duart e nënës së saj, brenda në anije, në një prej episodeve më të dhimbshme të tentativave për arratisje nga Shqipëria komuniste.
Familja vazhdoi rrugëtimin me trupin e pajetë të vogëlushes dhe rrobat e saj të gjakosura, deri në Serbi, ku ato u dorëzuan në një kishë.
36 vite më pas, historia e Anisës mbetet ende e gjallë në kujtesën e familjarëve dhe komunitetit shkodran.
Pranë memorialit të saj në Shirokë janë kryer homazhe, në nderim të 5-vjeçares që u vra në përpjekje për të gjetur lirinë.
Historia e vogëlushes ka prekur edhe profesorin Simon Fërketa, i cili ka shkruar disa vargje kushtuar Anisës. Përmes tyre, ai ka sjellë në kujtesë fatin tragjik të një fëmije që u bë viktimë e një prej periudhave më të errëta të historisë shqiptare.
Anisa Gruda mbeti vetëm 5 vjeç, por historia e saj u kthye në një dëshmi të dhimbshme të çmimit që shumë shqiptarë paguan në kërkim të lirisë.
36 vite më pas, emri i saj kujtohet ende në Shirokë, aty ku nisi udhëtimi i fundit i vogëlushes drejt lirisë.


