Gjithë natën punon në mes të pluhurit për të siguruar bukën e gojës. Kjo është Lumnie Alushi, një 60 vjeçare nga Shkodra e cila çdo mbrëmje e kalon me fshesë në dorë.
Ndonëse ka mjaft probleme me shëndetin Lumnia është mirënjohëse për punën që ka. Dëshira e saj është që të punojë sa më gjatë që të ketë sado pak para për t’u ushqyer sepse në të kundërt mund të mbesë pa bukë.

Të kthehet në shtëpi nuk është aspak kënaqësi për Lumnien. Xhamat e dritareve në banesën e saj janë zëvëndësuar me grumbuj sfungjerësh.

Në muret e shembura 60 vjeçarja ka vendosur perde në menyrë qe të mos shohë realitetin mbytës në të cilin jeton.

E moshuara prej vitesh jeton e vetme në këtë shtëpi në lagjen “Zoteknikë” ku mungojnë kushtet minimale të jetesës.

Duke parë vështirësite qe ka 60 vjeçarja bën thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi që ta ndihmojnë.

Nënë Lumnien nuk dihet edhe sa kohë do ta mbajnë këmbët në punën e lodhshme gjatë orëve të natës. E moshuara ka lënë mënjanë gjendjen e asaj aspak të mirë shëndetësore sepse i duhet ajo pagë e vogël të cilën e ndan me dy djemtë, njëri në burg, tjetri po ashtu në gjendje të vështirë ekonomike dhe aq pak sa i tepron ushqen veten e saj! Një jetë plotë sakrificë e vuajtje e 60 vjeçares në mëshirë të fatit!