Ky është Ilario Lavarra. Italiani është 39 vjeç dhe ka shëtitur 102 shtete të botës me një motor të vogël Vespa të vitit 1968. Ilario bëhet kështu personi i dytë në botë i cili ka përshkuar kaq shumë shtete të botës me një Vespa. Sëfundmi Ilario ka mbërritur edhe në Shqipëri në turin e tij rreth botës me dashurinë e përjetshme, Vespan.

Pas Tiranës 39 vjeçari ka zgjedhur Shkodrën për të qëndruar pak ditë. Ilario në katër vitet e fundit nuk është ndalur aspak duke përshkuar përveç shteteve të Europës edhe Afrikën, Azinë ndërsa 10 vite më parë përshkoi 21 shtete të Amerikës.Ilario tregon vendet e bukura por edhe të çuditshme.

Vështirësitë janë gjithnjë të pranishme kur përshkon botën me një motor Vespa 53 vjeçar.
Kjo foto është udhëtimi i Ilarios në një rrugë prej 100 km të gjatë e mbushur me ujë që u desh ta bënte në këmbë duke tërhequr edhe motorrin.

Kjo tabelë tregon se hienat janë të pranishme por Ilario rrezikoi në udhëtimin e tij apo edhe prania e këtij elefanti në një udhëtim tjetër. Nata më e rrezikshme është kur Ilario ndodhej në Afrikë dhe tre luanë i shkuan për vizitë në mes të natës tek çadra ku po flinte.

Asnjëherë shtetet nuk janë ashtu siç i mendon. Nigeria dhe Kameruni kanë surprizuar Ilarion.Italiani që po bën realitet ëndrrën e tij për të shëtitur botën me një motorr thotë se defektet e Vespës i riparon vetë.

Kur COVID-19 mbërtheu botën dhe askush nuk dilte në rrugë, Ilario ndodhej në Iran. Aty iu desh të qëndronte për 8 muaj.

Italiani ndodhet për herë të parë në Shqipëri ndërsa qyteti që i pëlqeu më shumë është Shkodra ku kaloi tre ditë me grupin e Vespave ndërsa bënë një udhëtim të gjithë bashkë nga qendra deri në Shirokë.

Prej katër vitesh nuk ka shkelur në Itali ndërsa tregon se çfarë i mungon më shumë.
Ilario ka një mesazh teksa thotë se popujt kudo në botë janë të dashur. Italiani që shkeli 102 shtete në total thotë se bota është më e bukur se nga çfarë shfaq media ndërsa i fton të gjithë që të udhëtojnë.

I pyetur se çfarë do të bëjë pasi të vizitojë të gjithë shtetet e botës Ilario e ka një përgjigje.

Ilario Lavarra i cili ka marrë famë në shumë shtete të botës për udhëtimet e tij të bukura por edhe interesante në vendet më të çuditshme nuk ka asnjë plan afatgjatë.

Italiani thjeshtë jeton momentin dhe shijon pafund udhëtimet e tij të gjata, bukuritë natyrore në vende të pashkelura apo edhe kulturat e historitë e pafundme të popujve! Përveçse një frymëzim për të gjithë italiani me eksperiencën e përjetuar është më shumë se një libër!