Ndërkohë që institucionet promovojnë shkollimin dhe strehimin në kuadër të ditëve të familjes, shumë qytetarë mbijetojnë duke mbledhur materiale plastike në koshat e qytetit të Shkodrës.

 

I tillë është edhe jetmiri 20 vjeçari që jeton në një dhomë të lagjes Liria, pa prindër, por vetëm me dy vëllezër. Në betejën e përditshme për pak ushqim, atij nuk i mbetet kohë për të menduar për studimin. Ky është Jetmir Gurzaku që pasi merr me qira një biçikletë të improvizuar transporti, niset çdo mëngjes nga lagjja Liria e Shkodrës në kërkim të materialeve plastike dhe metaleve për të siguruar të ardhura për veten dhe 2 vëllezërit e tij. Janë bërë dy vite që kur babai i Jetmirit nuk jeton më, ndërsa e ëma e la vetëm me vëllezërit duke i dhënë rolin e kryefamiljarit në moshën 18 vjeçare.  Dy vëllezërit e Jetmirit, Ramazani i madhi i familjes dhe vëllai i vogël Denisi, pasi nuk arritën të gjejnë punë, zgjodhën për të kërkuar lëmoshë në rrugët e Shkodrës. Në raftin e tyre modest ka pak ushqime, disa paketime sheqeri të përgjysmuara dhe vaj.  Tre të rinjtë jetojnë në një dhomë 10 m2, ndërsa pasojat e djegies së banesës 5 vite më parë i ndjejnë edhe sot.  20 vjeçari Jetmir Gurzaku nuk ka arritur të shkollohet, pasi në betejen e tij për t’u ushqyer, pak kohë i mbetet të mendojë për studimin. Ndërkohë që prej disa ditësh, institucionet zhvillojnë takime dhe seminare për ditët e familjes duke promovuar shkollimin dhe strehimin, Jetmirit dhe vëllezërve të tij u duhet më shumë mbështetje për të kuptuar se mund t’ia dalin.