Ka abortuar dy fëmijë nga dhuna sistematike. Edhe tre fëmijët që ka lindur janë dhunuar në mënyrë të pamëshirshme. Kjo është historia e një 37 vjeçareja nga një fshat i Postribës në Shkodër. Për tre ditë familja e saj i dha fjalën dhe shkoi tek burri kur ishte 21 vjeçe duke u martuar me shkuesi.

Pas më shumë se një viti, një kredi në një bankë për të nisur një biznes shkatërroi këtë familje. Gruaja tregon se paratë shkuan dëm dhe aty nisi dhuna fizike. Emigrimi drejt Turqisë i çiftit nuk ndryshoi asgjë duke bërë që të kthehen sërish ndërsa dhuna vijoi pa ndërprerje.

Momenti më i tmerrshëm për 37 vjeçaren është kur ajo u detyrua që të abortonte për herë të dytë fëmijën e saj si shkak i goditjeve të forta të bashkëshortit kur ndodheshin në Turqi.

Familja e 37 vjeçares ndodhej në emigrim në Greqi dhe e kishte të pamundur që t’i tregonte për shkak të frikës dhe mentalitetit. Disa herë mori guximin t’i tregonte për dhunën sistematike të afërmve të babait por ata nuk e mbështetën duke i thënë që të duronte.

Pas 7 vitesh martesë, ku pjesa më e madhe u shoqërua me dhunë fizike, 37 vjeçarja edhe pse pothuajse pa asnjë mbështetje vendosi që të largohet nga burri i saj bashkë me tre fëmijët e vegjël duke gjetur fillimisht strehë në një organizatë e më pas tek shtëpia e prindërve të cilët ishin kthyer nga Greqia. Kjo ndarje bëri që 37 vjeçarja të përballej me një lumë paragjykimesh në fshat edhe nga të afërm të saj si shkak i mentalitetetit.

Ende sot në fshat por edhe fshatra të tjerë e dhunura tregon se vijojnë fejesat e hershme të vajzave edhe kur janë 15 apo 16 vjeçe.

Për vite me radhë edhe pasi denoncoi dhunën dhe kërkoi ndihmë, 37 vjeçarja thotë se institucionet shtetërore nuk e kanë mbështetur atë dhe tre fëmijët e saj të vegjël.

Në fund pas përjetimit të dhunës për afro 5-6 vite, 37 vjeçarja nga Postriba i bën thirrje të gjithë grave dhe vajzave që të mos e pranojnë dhunën dhe në vend të heshtjes të zgjedhin të flasin.

Në Shkodër janë me qindra rastet e dhunë në familje të grave dhe vajzave por edhe atyre që shfrytëzohen për prostitucion apo tentohen të trafikohen drejt vendeve të Europës.

Dhuna në familje është një fenomen që njeh rritje sipas organizatave që trajtojnë këto raste ndërsa ende gratë dhe vajzat kryesisht në zonat rurale kanë frikë të tregojnë historitë e tyre përmes denoncimit në policinë e shtetit.