Një nga komunitetet që po rrezikohet ndjeshëm nga prurjet e lumit Buna është ai rom dhe një pjesë e komunitetit egjiptian që janë të pozicionuar në zonën pranë Prokurorisë në Shkodër. Mbështetja nga ana e institucioneve ndaj banorëve që jetojnë në këtë zonë ka qenë minimale gjatë këtyre ditëve.

Silvana Doda është 29 vjeçarja, nënë e tre fëmijëve e cila tregon frikën e përmbytjes së barakës në të cilën ajo jeton prej 10 vitesh. Gjatë këtyre ditëve uji ka hyrë disa herë brenda duke rrezikuar shëndetin e tre fëmijëve të saj.

Në përmbytjet e 10 viteve më parë, Silvana që jetonte në të njëjtën barakë ka humbur vajzën dy muajshe si shkak I temperaturave të ulëta dhe mungesës së mbështetjes nga institucionet. Ajo tregon se ka frikë çdo ditë se mos historia përsëritet sërish.

Fryrja e lumit Buna ka bërë që në strehën e saj modeste të hyjnë gjarpërinj gjatë natës. Nëna e tre fëmijëve tregon frikën e një nate më parë.

Silvana tregon se nuk ka nevojë për ushqime gjatë kësaj periudhe, por vetëm për një strehë ku të sigurojë shëndetin e fëmijëve të saj të mitur.

Bashkëshorti I Silvanës punon me mbledhjen e materialeve për skrap ndërsa të ardhurat e fituara nuk janë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet minimale për ushqyerje. Nga ana tjetër, 29-vjeçarja bën apel që të institucionet, bizneset apo edhe qytetarët shkodranë të ndihmojnë financiarisht në kryerjen e vizitave për djalin tre muajsh I cili po përballet me disa probleme shëndetësore si shkak I gjendjes në të cilën jeton familja Doda.