
Ky është Çesk Muri, një i dënuar për vrasje i cili që nga 2013-ta po vuan dënimin dhe aktualisht ndodhet në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe. 9 vite më parë Çesk Muri vrau djalin e xhaxhait të tij Gjin Muri pas një konflikti pronësie mes tyre. Sot pas 9 vitesh, i dënuari i cili ka pranuar autorsinë e krimit është i penduar dhe ka një mesazh për gjithë të rinjtë e tjerë që të shkollohen dhe të mos bien viktimë e kriminalitetit.
Arif Çela nga Hasi është një tjetër i dënuar në burgun e Reçit, baba i gjashtë fëmijëve. Ai është dënuar bashkë me djalin e tij me 10 nga vite burg secili të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge mes Shqipërisë dhe Kosovës. 56 vjeçari thotë se është dënuar pa asnjë provë sepse droga është gjetur sipas tij 40 kilometër larg banesës ndërsa pret një përgjigje nga Gjykata e Lartë. Bashkim Kubazeqaj është një tjetër i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga Italia ndërsa po vuan dënimin në Shqipëri për llogari të shtetit italian. Kubazeqaj i cili ndodhet prej 5 vitesh në burgun e Reçit po ashtu pretendon se është i pafajshëm dhe ka kërkuar ekstradim por deri më tani gjykatat shqiptare ia kanë rrëzuar ndërsa akuzon drejtësinë si të korruptuar.
Disa prej të burgosurve janë penduar për veprat e tyre penale, të tjerë pretendojnë pafajsinë ndërsa nuk mungojnë edhe përsëritësit edhe pse të gjithë e kanë të qartë se jeta në burg nuk është asnjëherë një zgjidhje. “Krijo të ardhmen larg gabimeve të së shkuarës”, është mesazhi i parë në muret e burgut në oborrin hyrës dhe i dyti para se të shkojnë në dhomat e mbyllura është “Mëso të qëndrosh pozitiv edhe në situatat më të vështira”.