Siguria rrugore vijon të jetë në fokus të Policisë së Shtetit, ndërsa përdorimi i mjeteve inteligjente po shtohet në akset kryesore të vendit për evidentimin e shkeljeve të qarkullimit.

Gjatë një inspektimi në aksin Rrogozhinë-Durrës, drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Rrugore folën për masat e marra për parandalimin e aksidenteve dhe monitorimin e drejtuesve që tejkalojnë normat e shpejtësisë.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skender Hita, vetëm gjatë kësaj jave mjetet inteligjente kanë evidentuar dhe sjellë në vendosjen e 1,100 masave administrative për tejkalim të shpejtësisë. Shkeljet e evidentuara kanë përfshirë raste kur automjetet kanë lëvizur me shpejtësi deri në 230 km/h.

Hita bëri të ditur gjithashtu se gjatë një viti, në të gjithë vendin, 1,075 drejtuesve u është hequr leja e drejtimit pasi kanë humbur të gjitha pikët, ndërsa janë proceduar edhe 1,060 raste për drejtim automjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore po përdor mjete inteligjente, radarë, dronë dhe sisteme automatike për monitorimin e shpejtësisë në akset kryesore, ndërsa pritet që së shpejti të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor.

Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit dhe të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.

Sipas Policisë, qëllimi i masave nuk është vetëm evidentimi dhe ndëshkimi i shkeljeve, por edhe parandalimi i aksidenteve dhe rritja e sigurisë në rrugë.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSENATI KONFIRMOI ERIC WENDT SI AMBASADOR TË SHBA-SË NË SHQIPËRI, AMBASADA: DO TË MBËSHTESË VIZIONIN E TRUMP PËR SIGURI TË PËRBASHKËT
Artikulli tjetërPROTESTË KUNDËR SHKRIRJES SË BASHKISË FUSHË ARRËZ