
Një marrëveshje bashkëpunimi është nënshkruar mes Policise e Shtetit dhe Inspektoratit të Përgjithshëm, me synim forcimin e koordinimit institucional në luftën kundër fenomeneve të paligjshme dhe mbrojtjen e interesit publik.
Dokumenti u firmos në ambientet e Policisë së Shtetit nga Drejtori i Përgjithshëm, Skender Hita, dhe Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula.
Të dy zyrtarët e cilësuan marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit në veprimet kundër shkeljeve ligjore dhe forcimit të besimit të qytetarëve.
Marrëveshja parashikon një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të koordinuar për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, punës së paligjshme dhe shkeljeve në tregun e punës, si dhe për garantimin e sigurisë ushqimore, barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut në përputhje me legjislacionin në fuqi.






