
Vetëvrasja e një emigranti maroken në Itali, pas më shumë se një muaji qëndrimi në kampin e Gjadrit në Lezhë, ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat dhe aktivistët për të drejtat e refugjatëve. Të prekur nga ky rast, aktivistë shqiptar dhe të huaj u mblodhen përpara ambienteve të kampit, ku zhvilluan homazhe për të ndjerin dhe një protestë simbolike për të denoncuar kushtet e çnjerëzore në të cilat, sipas tyre, mbahen emigrantët.
Aktivistet kërkuan hetim të pavarur për rastin e 42-vjeçarit që i dha fund jetës, ndërsa denoncuan raste të tjera incidentesh që po ndodhin çdo ditë brenda kësaj strukture.
Ngjarja ka risjellë në vëmendje shqetësimet e shprehura më herët nga organizatat ndërkombëtare mbi menaxhimin e refugjatëve në Shqipëri.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar.Ajo po shërben edhe si qendër për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.