
Janë zhvilluar homazhet në nderim të Esat Bushatit, ish-futbollistit të Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në futbollin shqiptar dhe veçanërisht në atë shkodran. Në ceremoninë e homazheve morën pjesë familjarë, miq, figura të sportit dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët përcollën me respekt dhe mirënjohje figurën e ish-futbollistit shkodran. Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Marjan Ndërshtiqaj, shprehu ngushëllimet për familjarët e Esat Bushatit, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta një humbje të madhe për futbollin shkodran. Në të njëjtën linjë, edhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, vlerësoi kontributin e vyer që Esat Bushati ka dhënë për klubin kuqeblu dhe historinë e tij.
Për figurën e Esat Bushatit folën edhe mjeku sportiv Zyhdi Çoba dhe Xhevdet Basha, të cilët sollën kujtime dhe vlerësime për ish-futbollistin, duke evidentuar kontributin e tij në sport dhe figurën njerëzore që ai ka përcjellë ndër vite.
Esat Bushati do të mbetet pjesë e historisë së futbollit shkodran, si një prej emrave që ka kontribuar me fanellën e Vllaznisë, por edhe në ekipe të tjera të futbollit shqiptar.


