
Këtë të dielë janë zhvilluar homazhet në nderim të ish-basketbollistit shkodran Fatjon Taraboshi, i cili u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ceremonia u organizua nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia në ambientet e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, ku morën pjesë familjarë, miq, ish-bashkëlojtarë dhe figura të njohura të sportit në Shkodër. Trajneri Bledar Gjeçaj e cilësoi këtë si një humbje të madhe për sportin shkodran, duke theksuar kontributin e rëndësishëm që Taraboshi ka dhënë në periudha të vështira për ekipin e Vllaznisë.
Ndërkohë, ish-basketbollistët Herion Faslija dhe Damian Bekteshi e konsideruan ndarjen e tij nga jeta si një lajm të dhimbshëm për gjithë komunitetin sportiv, duke vlerësuar jo vetëm aftësitë në parket, por edhe frymën e bashkëpunimit dhe harmoninë që sillte në skuadër.
Me emocione dhe respekt, të pranishmit kujtuan figurën e Fatjon Taraboshi si një sportist të përkushtuar dhe një njeri me vlera të rralla, kujtimi i të cilit do të mbetet gjatë në memorien e basketbollit shkodran.


