Edhe këtë vit, kryeministri Edi Rama ka organizuar ceremoni dhe homazhe në bulevardin para kryeministrisë, në kujtim të 4 protestuesve, që humbën jetën më 21 janar të vitit 2011 në Tiranë. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika humbën jetën, gjatë një proteste të thirrur nga PS në opozitë, në bulevardin para godinës së kryeministrisë. Rama gjatë fjalës së tij është shprehur se vitimat u rivranë edhe njëherë në gjykatë.

Qeveria Rama ka akorduar një shumë prej 2 milionë eurosh, si dëmshpërblim për familjarët e viktimave.

Kësti i fundit prej 970 mijë eurosh u dha vitin e kaluar. Qeveria e argumentoi këtë dëmshpërblim, si detyrim ndaj vendimeve të Gjykatës së Tiranës për këtë ngjarje. Në opozitë, socialistët e konsideruan krim shtetëror vrasjen e 4 protestuesve.

Sipas gjykatës, vrasjet ishin kryer nga pakujdesia, për pasojë, ish-komandati i gardës Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg, dhe gardisti Agim Llupo me 3 vjet burg.