Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë riparimit të një defekti në zonën e Rrilës. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 të së enjtes dhe viktimë mbeti 27-vjeçari Mark Prenga, banues në fshatin Pllanë.
Sipas te dhenave, viktima ishte njoftuar nga banorët për mungesë të energjisë elektrike në zonën e Rrilës dhe, së bashku me dy punonjës të tjerë, kishte shkuar për riparimin e defektit në afërsi të nënstacionit elektrik. Nga veprimet e para hetimore rezulton se, sapo ka hipur në shtyllë, 27-vjeçari ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, pasi njëra nga linjat paralele kishte ende rrymë elektrike.Trupi i pajetë i elektricistit u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po verifikon nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë dhe protokollet e përcaktuara.Ndërkohë, krahas ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, rrjeti i amortizuar në fshatrat e Lezhës është kthyer në një rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe vetë punonjësve të OSHEE-së. Mark Prenga është viktima e tretë brenda pak muajsh, pasi gjatë vitit të kaluar humbën jetën dy qytetare një vajzë e re dhe një grua, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, për shkak të shkëputjes dhe rënies së linjave në tokë.Viktima kishte prej tre vitesh që punonte pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe mbulonte zonën e Rrilës.

Artikulli paraprakPERAGINE MESAZH URIMI PËR BESIMTARËT MYSLIMANË
Artikulli tjetërREKTORI GJURAJ: BUXHETI 700 MLN LEKË I PAMJAFTUESHËM