Dy vite më parë humbi jetën në mënyrë tragjike në urën Morandi që u shemb në Genova të Italisë Admir Bokrina, një 32 vjeçar nga fshati Oblikë i njësisë Ana e Malit në bashkinë Shkodër.

Sot pas dy vitesh rruga e fshatit të tij në Oblikë mori emrin e të ndjerit i cili humbi jetën në tragjedinë e dy viteve më parë bashkë me 42 persona të tjerë mes të cilëve edhe një shqiptar tjetër nga Durrësi. Pas një kërkesë të banorëve në bashkinë Shkodër, Këshilli Bashkiak miratoi vendosjen e emërtimit të rrugës Admir Bokrina në një ceremoni të zhvilluar.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadija dhe kryetarja e bashkisë Voltana Ademi u shprehën se emri i Admir Bokrina u përjetësua.

Babai i Admir Bokrinës, Asllan Bokrina falenderoi për respektin që i bënë duke i vendosur rrugës emrin e djalit të tij.

Familja e Admir Bokrinës kontribuoi në rikonstruksionin e rrugës së varrezave bashkë me bashkinë Shkodër në nder të djalit të tyre ndërsa Këshilli Bashkiak mori vendimin për vendosjen e emrit të asaj rruge Admir Bokrina.