Tenisti i famshëm serb, Novak Djokovic ka thënë se më mirë do të humbiste trofetë e ardhshëm sesa të detyrohej të merrte një vaksinë kundër COVID.

Në një intervistë për BBC, ai tha se kundërshtia e tij nuk duhet të lidhet me lëvizjen anti-vax, por me mbështetjen e të drejtës së një individi për të zgjedhur.

Djokovic u pyet nëse ai do të sakrifikonte pjesëmarrjen në gara të tilla si Wimbledon dhe French Open lidhur me qëndrimin e tij ndaj vaksinës, ndërsa tha: ‘”Po, ky është çmimi që unë jam i gatshëm të paguaj”.

20 herë fituesi i Grand Slam-it u deportua nga Australia muajin e kaluar pasi qeveria ia anuloi vizën disa herë për shkak se nuk ishte i vaksinuar.

Djokovic, i cili është tenisti numër një në botë për meshkuj, tha se ai kishte marrë një raport mjekësor për të hyrë në vend për të luajtur në Australian Open pasi ishte shëruar së fundmi nga COVID. Megjithatë, ministri i imigracionit të vendit, Alex Hawke, i anuloi personalisht vizën 34-vjeçarit, me arsyetimin se prania e tij mund të nxiste “trazira civile” dhe të nxiste ndjenjën kundër vaksinës.

“Unë kurrë nuk kam qenë kundër vaksinimit”, tha ai, duke konfirmuar se kishte bërë vaksina si fëmijë, “por unë gjithmonë kam mbështetur lirinë për të zgjedhur atë që vendos në trupin tim.”