
Shefi i qeverisë, Edi Rama prezantoi të gjitha masat e marra për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe mbrojtjen e hapësirave publike. Kryeministri Rama vuri edhe njëherë “pikat mbi i” për ndërtuesit dhe zaptuesit e hapësirave publike.
Me qëllim kontrollin e territorit do të ketë monitorime në kohë reale përmes teknologjisë, me dronë, apo GPS e kamera në kantieret e ndërtimit që mos të devijohet nga lejet e ndërtimit. Vijat e kuqe ua kujtoi edhe njëherë të gjithë ndërtuesve, të cilët nëse do shkelin lejet, emrin e tyre do ta gjejnë në një listë të zezë, e cila do të jetë publike dhe për 5 vite nuk do të marrin më leje. Këta të fundit do të përballen edhe me përgjegjësi në rast se devijohet leja e ndërtimit, të cilët jo vetëm do të përballen me përgjegjësi penale, por do t’u hiqet licenca për 5 vite. Të gjitha këto rregulla për disiplinimin e ndërtimeve dhe kontrollit të territorit kanë hyrë në fuqi përmes një Akti Normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave.






