
Në Shkodër ka vijuar aksioni për shëmbjen e objekteve në hyrje të qytetit për ti hapur rrugë më pas projektit “Rikualifikimi i hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës”. Në këtë fazë pas shpronësimit parashikohet shëmbja e 10 objekteve. Sipas drejtuesi të IKMT Shkodër Emiljan Nika, në këtë fazë do prishen 10 objekte që janë shpronësuar.
Procesi që nisi mëngjesin e sotëm do të zgjasë disa ditë ndërsa menjëherë më pas do të nisë pastrimi i zonës dhe rehabilitimi i saj. Në total janë 21 objekte që do shëmben ndërsa në një pjesë të tyre hapësirat janë liruar nga vetë pronarët. Procesi u shoqërua nga forca të shumta policia por nuk pati asnjë rezistencë nga banorët.
Më herët këshilli ministrave miratoi fondin prej mbi 4 miliardë lekë për shpronësimet e të gjitha banesave që preken nga ky projekt. Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.
Ky projekt përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte. Pjesë e projektit janë edhe fushat e reja sportive dhe një mol i ri, që do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.