Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka ndërmarrë masa parandaluese ndaj pasurisë së shtetasit B.B., i dënuar më herët nga autoritetet franceze për trafikim të lëndëve narkotike.
Me kërkesë të Prokurorisë dhe bazuar në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, gjykata ka vendosur sekuestrimin e automjeteve, mjeteve motorrike dhe llogarive bankare në emër të këtij shtetasi dhe familjarëve të tij.
Nga hetimet rezulton se B.B. është dënuar në Francë për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa verifikimet pasurore kanë nxjerrë në pah mospërputhje të theksuara mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurive të zotëruara.
Sipas Prokurorisë, pasuritë nuk justifikohen nga burime të ligjshme dhe dyshohet se janë përfituar si rezultat i veprimtarive kriminale.
Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar një automjet luksoz “Mercedes Benz” modeli S600L, disa motomjete, si dhe automjete të tjera në emër të familjarëve të tij. Po ashtu, janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare në emër të B.B. dhe personave të lidhur me të.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të burimit të pasurive dhe për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNDRYSHIME NË POLICINE E LEZHËS
Artikulli tjetërBASHKIA,PLAN MASASH PËR NATËN E NDËRRIMIT TË VITEVE