I njohur si mjeshtri i arratisjeve dhe i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në vitin 1999, Dritan Rexhepi një ndër personat më të kërkuar nga policia shqiptare arrin të fitojë në Gjykatën Kushtetuese të drejtën për tu rigjykuar nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë.

Rexhepi prej më shumë se 2 vitesh ndodhet i arrestuar në Ekuador me dyshimet se është i përfshirë në trafikun e kokainës, por kjo se ka penguar që nëpërmjet avokatëve të tij në Shqipëri ai të fitoj një proces gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese.

Prej më shumë se një dekade Rexhepi ka qenë në listën e më të kërkuarve por ai ka mundur të arratiset si nga burgjet italiane ku ishte duke vuajtur një dënim, si dhe të shmangë arrestimin nga autoritetet spanjolle, belge, e britanike, për t’u kapur vetëm në vitin 2014 në Ekuador.

Në vitin 1999 Rexhepi u hetua dhe më pas u akuzua për vrasjen e policëve Arben Keqi e Durim Kasmi, ku së bashku me të u akuzuan edhe disa persona të tjerë.