Iu dha sot lamtumira e fundit, efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Simon Gjeta, i cili mbeti i vrarë të shtunën gjatë operacionit për arrestimin e Ruzhdi Arishtës Homazhet në nder të Gjetës u zhvilluan prej orës 11:24-13:00 në Akademinë e Policisë në Sauk.

Fillimisht para trupit të pajetë të nënkomisarit u përulën kolegë të tij, ndërsa në homazhe morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës duke filluar nga kryeministri Rama,kryeparlamentari Meta, kreu i opozitës Basha, Ministri i Brendshëm Tahiri dhe deputetë të Kuvendit. Komisioni i Sigurisë e nisi mbledhjen me një minutë heshtje në nder të efektivit të rënë në krye të detyrës, ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi sot Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit.” Një ditë më parë Komisioni i Posaçëm në Ministrinë e Mbrojtjes shpalli “Dëshmor të Atdheut” nënkomisarin Simon Gjeta. Efektivi i FNSH së Shkodrës mbeti i vrarë gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Ruzhdi Arishtës, pasi ky i fundit plagosi një 21 vjeçar. Ndërhyrjes së policisë, Arishta iu përgjigj duke hapur zjarr dhe duke qëlluar në kokë efektin e FNSH-së, i cili humbi jetën në vend. Për arrestimin e këtij krimi të rëndë, policia dhe RENEA u përfshinë në një aksion që zgjati përreth 12 orë duke negociuar dorëzimin e autorit, që ndodhej i fshehur në banesën e tij në fshatin Oblikë. Gjatë këtyre orëve pati shkëmbime zjarri, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe bomba tymuese. Operacioni përfundoi me ekzekutimin e 54-vjeçarit.