Pasi u shkarkua nga detyra, Belinda Balluku ishte sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ku ka prezantuar pasardhësin e saj Enea Karakaçin. Balluku ka komentuar dhe procesin hetimor që po zhvillohet në ngarkim të saj, duke thënë se ka besim te drejtësia dhe se nxit vijimin e hetimeve me qëllim që e vërteta të dalë në pah.

“Këtë herë kam marrë një vendim personal që të shprehem për një çështje juridike, pasi besoj se çdo çështje e tillë nuk zgjidhet as në rrjetet sociale dhe as në debatet mediatike, por duhet të ndjekë rrjedhën e saj sipas asaj që parashikon Kushtetuta. Kam vendosur, ndryshe nga shumë të tjerë, të mos analizoj, të mos shaj apo anatemoj dhe të jem konsistente në qëndrimin tim për sa i përket drejtësisë. Nëse i rikthehemi deklaratave të mia, nuk do të gjeni asnjë deklaratë që të kundërshtojë tjetrën: drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.

Ajo duhet të jetë frymëzim për këtë vend, pasi reforma në drejtësi u krye pikërisht për t’u kthyer qytetarëve besimin tek një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Nuk do të më dëgjoni kurrë ta lavdëroj drejtësinë kur godet kundërshtarët politikë, sepse unë nuk kam të tillë, por as ta anatemoj kur prek interesat e mi personalë. Nuk do të më dëgjoni të përmend emra prokurorësh apo gjyqtarësh, sepse ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë timen. Unë nuk kam dhe nuk kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh, dhe që nuk e kam penguar kurrë, të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Nuk kam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente”, tha Balluku. Ndër të tjera Balluku tha se ndjen keqardhje që i ka ngarkuar ministrisë dhe mbi të gjitha qeverisë me një peshë që nuk e meriton. Ish-zv/kryeministrja Balluku falënderoi Edi Ramën për mundësinë e dhënë ndërsa tha se mësuar që e vogël me gjyqet publike.

“Nuk kam as 1, as 2 jahte, as limuzina, as helikopterë apo avionë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, i cili fatkeqësisht bëhet me shumë lehtësi në këtë vend. Por, për të thënë të drejtën, unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi im e mban më mirë se kudo tjetër këtë gjyq publik, sepse jam kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Sigurisht secili ka mënyrën e tij, por jam munduar të bëj më të mirën.

As nuk e kam penguar drejtësinë dhe nuk do ta bëj, sepse e besoj dhe e kam mbështetur. Më vjen keq që situata ime ka krijuar vonesa në proceset jetësore të ministrisë. Më vjen keq që kam ngarkuar qeverinë me një peshë që nuk e meriton. Më vjen keq që është ndikuar qetësia juaj, e familjarëve tuaj dhe padyshim më vjen keq për ditët e muajt e humbura në proceset e rëndësishme që duhen çuar përpara. Falënderoj Ramën për gjithë besimin dhe mundësinë që më ka dhënë në këto vite, por mbi të gjitha për shembullin që ka krijuar në mënyrën e tij të lidershipit. Ka qenë e lehtë për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e ekipit të tij në fillimet e viteve 2000 që të ndjekim shembullin e tij se si frymëzohen njerëzit që punojnë me ty. Jam munduar të ndjek shembullin e tij me ju dhe me të gjithë ata që kanë punuar me mua. Është shkolla më e mirë nga e cila kanë dalë drejtues të aftë, kanë dalë udhëheqës politikë frymëzues dhe padyshim njerëz që e duan Shqipërinë dhe sakrifikojnë pa asnjë lloj dyshimi për të mirën e madhe”, tha Balluku.

Artikulli paraprakMUZIKA QYTETARE NË RITMET JAZZ E BLUES NË LEZHË
Artikulli tjetërLAMALLARI MERR DETYRËN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME: RIKTHEHEM NË SHTËPI!