TIRANË

Zaida Çobo, nëna e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia tërheq padinë ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Raportohet se Cobo ka vendosur që të heqë padinë ndaj Veliut, pas takimit që ka zhvilluar me të.

Zaida Cobo është nëna e 15 vjecarit të dhunuar tek liqeni javë më parë, ndërsa fillimisht deklaroi se do ta padiste Veliun për deklaratat që kreu i Policisë së Shtetit kishte bërë.

“Doja të jepja një shembull qytetarie. Pranova ndjesën e Drejtorit të Policisë, pas takimit me të. Tani ndihem e qetë dhe m’u duk e pakuptimtë të vijoja procedurat ligjore.

Kam hequr dorë vetëm ndaj padisë për fyerjen që m’u bë. Ndërsa për çështjen e dhunës ndaj djalit do e vijoj deri në fund”, është shprehur nëna e adoleshentit të dhunuar.

Policia e shtetit njoftoi sot se Veliu u takua me Çobon për t’i kërkuar personalisht ndjesë, për publikimin e një video ku ajo shfaqej me pistoletë në dorë. Video më pas rezultoi të ishte filmuar me pistoletë lodër gjatë xhirimeve të një filmi.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj,” u shpreh kryepolici Ardi Veliu.