I pafajshëm italiani që qëlloi për vdekje hajdutin shqiptar. Gjykata e Milanos ka arkivuar procesin hetimor e hidhet poshtë akuza e vrasjes së qëllimshme ndaj italianit Francesko Sicignano, i cili më 20 tetor 2015 qëlloi për vdekje me armë zjarri shqiptarin 22 vjeçar Gjergj Gjoni që po i grabiste banesën.

Sipas kryetares së trupit gjykues Teresa De Pascale, 65 vjeçari italian ka reaguar për mbrojtje legjitime kundër një grabitësi i cili kishte hyrë brenda në territorin e banesës së tij. Të njëjtën kërkesë kishte paraqitur muaj më parë dhe Prokuroria e Milanos por u kundërshtua nga familjarët e 22 vjeçarit shqiptar, sipas të cilëve djali i tyre është qëlluar jashtë mureve të shtëpisë. Sipas ligjit italian, nëse keqbërësi goditet në brendësi të banesës nga pronari i saj me leje mbajtje të rregullt arme, ky akt bëhet për motive vetëmbrojtjeje e nuk është i dënueshëm. Në rast të kundërt akuza është vrasje e qëllimshme.

Procesi gjyqësor i bazuar në një ekspetizë mjekësore e teknike ka vërtetuar se 22 vjeçari shqiptar është qëlluar në kuzhinë e pas marrjes së plumbave ka tentuar të largohet nga banesa duke u tërhequr zvarrë deri në shkallët e jashtme të vilës. Gjykata e Milanos ka arkivuar procesin hetimor e 65 vjeçari Francesko Sicignano është shpallur i pafajshëm nga akuza e vrasjes së qëllimshme. Gjergj Gjoni 22 vjeç jetonte në komunën e Trezzo sull’Adda, pak kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Sipas policisë italiane gjatë grabitjes ai ishte i shoqëruar dhe nga dy bashkëpunëtorë të tjerë.

Artikulli paraprakTRAFIK DROGE NGA SHQIPËRIA DHE MAQEDONIA DREJT ITALISË
Artikulli tjetërMEGA OPERACION I ANIMAFIAS ITALIANE KUNDËR NDRAGHETAS KALABREZE, 48 NËN PRANGA