Ish-oficeri i antidrogës Dritan Zagani, njeriu që trazoi ujërat e politikës shqiptare duke akuzuar krerët e policisë shqiptare si të lidhur me krimin si dhe lidhjen e ish-ministrit Tahiri me vëllezërit Habilaj, mësohet se do t’i bashkohet protestës së opozitës. Zagani pritet të përcjellë mesazhin e tij me një videokonferencë nga Zvicra aty ku ka fituar statusin e azilantit. Ai pritet të jetë i dhjeti në listë. Pasi denoncoi publikisht lidhjet e ish-ministrit me Habilajt, Ish­-shefi i antidrogës në Fier u arrestua së bashku me gjashtë persona të tjerë. Zagani akuzohej për shpërdorim detyre, ndërsa personat e tjerë për trafik droge. 43-­vjeçari u izolua, pasi dyshohej se shiste informacione te një shtetas i huaj.

Mësohet se Dritan Zagani kishte komunikim të shpeshtë me një nga të arrestuarit dhe në bazë të informacioneve të marra prej tij, ka organizuar një operacion, duke sjellë shkatërrimin e një hetimi më të zgjeruar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nga dosja penale mësohet se hetimi për këtë rast ka nisur më 24 dhjetor të vitit 2013. Pikërisht në këtë kohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Vehbi Bajramajt, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim.

Ky procedim ka nisur në bazë të materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Vlorës natën e Krishtlindjeve (2013), lidhur me sekuestrimin e një sasie prej afro 908 kg lëndë narkotike në afërsi të vijës bregdetare, pranë zonës së Hidrovorit në Vlorë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë u dërguan “bashkëpunëtorët” e Zaganit për trafik droge, ndërsa çështja ndaj ish­oficerit u transferua në Fier. Procesi ndaj tij vazhdon dhe seanca e fundit u zhvillua në ditët e para të shtatorit, ku mungesa e Zaganit në sallë, zbuloi edhe arratisjen e tij. Zagani u arratis bashkë me familjen dhe kërkoi azil në Zvicër.