Gjatë 24 orëve të fundit nga Policia Kufitare janë riatdhesuar 51 shtetas shqiptarë, të deportuar në kuadër të punës për parandalimin e fenomenit të migracionit të paligjshëm. Policia thotë se i është refuzuar dalja 35 shtetasve shqiptarë, pasi nuk përmbushnin kushtet për të lëvizur në zonën Shengen.

Ndërsa për shtetasin me iniciale S.D., 57 vjeç, janë referuar materialet në Prokurori për veprën penale të “Braktisjes së fëmijës”, pasi në datën 13 janar 2018, ka udhëtuar nga Porti i Vlorës në drejtim të Italisë së bashku me djalin 17 vjeçar dhe është kthyer në Shqipëri një ditë më parë, pa të.

Policia e Shtetit thotë se është e vendosur të respektojë legjislacionin kundër migracionit të parregullt. Ajo u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë, pasi në të kundërt do të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi.